Alarmi i OBSH për variantin Delta: Rritje e vazhdueshme e rasteve për 4 javë me radhë

Për katër javë me radhë, numri i rasteve të reja me Covid-19 në nivel global ka shënuar rritje. Alarmi është lëshuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë një konference në selinë qendrore në Gjenevë. Rritje ka pësuar edhe numri i  jetëve të humbura nga koronavirusi.

“Pas 10 javësh rënie, numri i viktimave është rritur sërish. Vazhdojmë të dëgjojmë raportime nga të gjitha pjesët e botës për mbushje të kapaciteteve në spitale”, u shpreh Tedros Adhanom Ghebreyesus, kryetar i OBSH-së.

Varianti shumë i transmetueshëm Delta, i identifikuar fillimisht në Indi në tetor të 2020-s, po bëhet më dominanti në botë. OBSH-ja bën thirrje për kujdes të shtuar dhe masa parandaluese.

“Delta tani është prezent në mbi 104 shtete dhe ne presim që shpejt të jetë lloji më dominues i Covid-19 që qarkullon në mbarë planetin. Bota po sheh në kohë reale teksa Covid-19 vijon të ndryshojë dhe të bëhet më shumë i transmetueshëm.”

Numri i rasteve me koronavirus në mbarë botën i ka tejkaluar 187 milionë, me mbi 4 milionë persona që kanë humbur jetën.