Ankesa në zyrën e Ramës, PS e Shkodrës ankohet për Edona Bilalin dhe Tom Doshin

Zgjedhja e Edona Bilalit si deputete në Shkodër dhe besimi që ajo ka marrë nga kryeministri Rama ka trazuar ujërat e socialistëve të Shkodrës. Një grup prej tyre i kanë nisur një letër kryeministrit Rama, sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Balla, kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ambasadores Kim, ku dënojnë ashpër veprimet e deputetes së zgjedhur dhe aleatit Tom Doshi.

“Na del një Edona Bilali pa marrë mandatin kërkon të zhbëjë PS-në në Shkodër, të hedhë në kosh punën e sakrificat e brezave që e mbajtën gjallë këtë organizëm në një qytet gjoja antikomunist, por që është peng i oligarkëve të krimit që gjoja janë bërë “zoti”. Kjo Edona që mori diku 1000 vota, së bashku me Tom Doshin po ndiejnë thelat e pushtetit duke bërë reprezalje në administratë e drejtues socialistë. Tom Doshi po shfrytëzon me dinakëri egon e një çupëline të pamësuar me punët e politikës”

Grupi i socialistëve shkodranë pretendojnë se Bilali e Doshi po pushojnë njerëz nga puna për të punësuar të afërmit e tyre.

“Hoqën drejtorin e patentave, zotin Çeliku një djalë të shkolluar, familje socialistësh me respekt në shoqëri që sjell vota për PS. Ka emëruar në atë pozicion nipin e vjehrrës së Edonës, inxhinierit të rrugëve pronë e Tom Doshit. S’ka bashkëpunim më perfekt. A thua se kemi votuar për të punësuar njerëzit e saj. Doli një fjalë që flitej se vjehrri i Edonës, mësues fizike ka dalë me bllok në dorë për të punësuar njerëzit e familjes e farefisit, pastaj kush paguan më shumë futet në listë”.

Aleatin Tom Doshi, grupi i socialistëve të Shkodrës e shohin si rrezik të madh, ndaj kërkojnë që të kufizohet fushëveprimi i tij.

“Këtë ambicie të shfrenuar të kësaj deputeteje po e shfrytëzon me dinakëri Tom Doshi, “non grata” i departamentit të SHBA. Tërthorazi po sulmon strukturën e PS-së në Shkodër deri në vetë asgjësim. Ka gjasa që në zgjidhjet e ardhshme  parlamentare, Tom Doshi të marrë 3 deputetë dhe PS-ja 2 prej tyre. Ne mendojmë se ky person nuk duhet të lejohet më tepër, i duhet vënë kufiri te thana ambicieve të tij”.

Në shkresën që i është drejtuar edhe Ambasadës Amerikane, socialistët akuzojnë Tom Doshin për blerje votash dhe mbushjen e institucioneve me njerëz me precedent penalë.

“PSD në Shkodër blen së bashku me LSI-në masivisht votat e shqiptarëve në zgjedhje. Drejtoritë dhe institucionet që ka Tom Doshi janë mbushur me njerëz me precedentë penal të paarsimuar, me dëftesa false e të blera. Kështu po mbrohen tash e 20 vjet disa drejtoresha institucionesh që janë denoncuar për korrupsion”.

Në letërankesën drejtuar qendrës, socialistët e Shkodrës vlerësojnë punën e drejtuesit politik të qarkut Ilir Beqaj dhe deputetit Benet Becin.