“Delta” mes nesh, ISHP: Mutacione të ndryshme në qarkullim, “sy e veshë” nga Gjermania

Instituti i Shëndetit Publik pranon qarkullimin e mutacioneve të reja të koronavirusit në këtë periudhë dhe përjashtim nuk bën as “Delta”. Por, zyrtarisht, kjo do të deklarohet vetëm pas konfirmimit nga laboratori i referencës në Gjermani, pasi kjo analizë nuk kryhet në Shqipëri.

“Ne duam të konfirmojmë me evidencë nëse këto mutacione që kemi verifikuar në laboratorin tonë paraqesin interes, pra nëse janë Delta, Gama apo tip tjetër i koronavirusit”, tha Iris Hasibra, koordinatore e survejancës laboratorike në ISHP.  

Specialistja tregon se nga infektimet e reja, çdo ditë ka raste të dyshuar me variantin Delta apo dhe mutacione të tjera: “Nga ato pak raste që rezultojnë pozitive me Covid-19, kemi një dyshim shumë të arsyeshëm që ka një mutacion dhe lëvizje të re në lidhje me teknikën e identifikimit. Sikurse raportohet dhe nga OBSH, në Europë, 33% e rasteve që shihet në rritje të pozitivitetit janë raste të Deltës. Jemi kontinenti më i prekur dhe në dyshimet tona bën pjesë dhe Shqipëria. Presim evidencat nga Gjermania që të dalim zyrtarisht”.

Në Institutin e Shëndetit Publik janë shtuar testet e dyshuara për prani të variantit Delta dhe mutacioneve të tjera. Ato vijojnë të dërgohen në Berlin, nga ku pritet konfirmimi për tipin e variantit që ka hyrë në vendin tonë.

Ndërkohë, pak ditë më parë, edhe ministrja e Shëndetësisë dha sinjale për prezencën e Deltës edhe në vendin tonë. Autoritetet vijojnë thirjret për rritjen e vaksinimeve dhe marrjen e të dyja dozave, pasi në muajin gusht mbarë Europa do të dominohet nga varianti Delta, i cili është shumë i transmetueshëm, por më pak agresiv.