Gjendje emergjente në Deçan, dy viktima dhe qindra të helmuar nga uji i pijshëm

Gjendje emergjence në Deçani të Kosovës. Autoritetet dyshojnë se dy persona kanë humbur jetën nga helmimi me ujë të pijshëm. Qindra të tjerë kanë shfaqur probleme shëndetësore. Prokuroria e Pejës ka kërkuar që të bëhet autopsia mjeko ligjore për dy personat që kanë humbur jetën.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit me ç’rast Prokurori i Shtetit, përkatësisht i Departamentit të Krimeve të Rënda për shkak të situatës së krijuar në atë rajon ka dërguar dy trupat e pajetë për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të kuptuar shkaqet e vdekjes së dy viktimave”, tha Shkodran Nikçi, zëdhënësi prokurorisë së Pejës.

Të gjitha veprimet e nevojshme hetimore janë ndërmarrë edhe për dyshimet për helmimin e qytetarëve. “Fillimisht janë autorizuar IKShP-ja për të marr mostrat dhe për të bërë analizat e ujit, ende nuk i kemi rezultate finale”.

Që prej të shtunës, mbi 800 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan. Gjatë të hënës u rrit dhe numri i fëmijëve që shfaqën probleme shëndetësore.

Megjithatë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë nuk konstatoi tejkalim të vlerave normale të ujit të përcaktuara me standardet europiane.

“Për zbardhjen e plotë të shkaqeve të helmimit duhen pritur rezultatet përfundimtare të testeve të kampionëve të ujit”, tha Naser Ramadani, drejtori i institutit kombëtar të shëndetësisë publike.