Meta: Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale të Policisë Bashkiake

meta 2 1100x620

Presidenti Ilir Meta mori shkas nga një video që po qarkullon në internet, ku shihet se si malli i një shitëseje të moshuar ambulante është hedhur në tokë, ndërkohë që pranë tij janë disa punonjës të Policisë Bashkiake.

“Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale, të dhunshme dhe të dënueshme ligjërisht të disa punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë ndaj të moshuarve, shitës ambulantë. I bëj thirrje Bashkisë Tiranë, që në mënyrën më të papërgjegjshme ka dhënë edhe në të kaluarën e afërt shembullin më të keq të marrëdhënies së pushtetit vendor me qytetarët, të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo institucion dhe autoritet.

Urdhëruesit dhe autorët e këtyre akteve arbitrare, që po kthehen në një fenomen të përsëritur dhe thellësisht shqetësues për banorët e kryeqytetit, meritojnë të marrin përgjigjen e menjëhershme nga drejtësia”, shkroi Meta në Facebook.