Paketa e re për prokurimet, Rama: Abuzimet do i çojmë vetë në SPAK, titullarët përgjegjës

Kryeministri Edi Rama prezantoi, këtë të martë, paketën e re të prokurimit publik, duke bërë të ditur se kjo paketë adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve në këtë proces.

“Qëllimi nuk është të shikojmë mbrapa për t’u krahasuar me të shkuarën, por të shikojmë përpara për të kapërcyer sa më parë dhe sa më shpejt hendekun e gjerë mes nesh për të ardhmen.

Paketa e re synon t’u japë autoriteteve kontraktore dhe shtetit mjete të reja efikase duke iu garantuar një kuadër rregullator të prokurimit publik në Shqipëri të përafruar me legjislacionin Europian. Paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve në këtë proces, për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama u shpreh se në rast të shkeljeve të rekomandimeve do të jetë Kryeministria që do të çojë në SPAK shkeljet.

“Procesi është i ndërlikuar, për të cilin edhe BE vazhdon të kërkojë rrugë dhe mjete ligjore për ta përsosur, por ama është plotësisht e mundur, objektivisht e mundur, që në një kohë të shkurtër ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në këtë fushë, duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë dhe jo si bajrakë. Duke funksionuar si hallkë, komunikimi duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e agjencisë nuk janë as në Bibël as në Kuran, janë rekomandime që mund të diskutohen ndaj të cilave mund të reagohet në mënyrë profesionale. Ama sikur në një rast të vetëm, rekomandimet të bien në një vesh të shurdhër sa të mos ketë përgjigje, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK, do të shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Më pas, a është thjesht e qëllimshme, duhet ta sqarojnë duke marrë avokat me vete. Janë disa objektiva lehtësisht të zbatueshëm, në rast se i gjithë sistemi konsolidohet ku afatet janë të padiskutueshme”, u shpreh Rama.