Pengimi i zgjedhjeve, SPAK “paketon” ish-kryebashkiakun e Pogradecit, Kapri

Eduart Kapri është ish-kryebashkiaku i radhës që dërgohet si i pandehur në Gjykatën e Posaçme. “Mëkatet” e ish-kryebashkiakut demokrat, sipas SPAK, janë abuzimi me një tender, si edhe pengimi i procesit zgjedhor në zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

SPAK njoftoi të martën, se bashkë me ish-kryebashkiakun janë dërguar për gjykim edhe ish-zëvendësi i tij, Avdulla Cano, dy ish-zyrtarë të tjerë të Pogradecit dhe dy ish-punonjës të Drejtorisë Arsimore të kësaj bashkie.

Ata akuzohen për “shkelje të barazisë në tendera”dhe “shpërdorim të detyrës”. Sipas hetimit të përfunduar tashmë nga SPAK, tenderi për të cilin akuzohen ish-zyrtarët më të lartë të Bashkisë së Pogradecit është zhvilluar në tetor të vitit 2017. Objekti i tij ka qenë blerja e druve të zjarrit për shkollat e bashkisë Pogradec, me fond limit 9.2 milionë lekë të rinj.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-kryebashkiaku Kapri, si titullar i Autoritetit Kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano kanë kryer veprime, që kanë favorizuar një prej kompanive pjesëmarrëse në tender. Shkelja e dytë ligjore për të cilën akuzohet ish-kryebashkiaku Kapri është regjistruar dy ditë para zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Dy ish-punonjësit e mirëmbajtjes së Qendrës Arsimore, janë ndaluar në flagrancë duke vënë dryna në rrethimin e jashtëm të tri shkollave dhe një kopështi në qytetin e Pogradecit, godina që do të shërbenin si qendra votimi.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku Kapri, në bashkëpunim me dy ish-punonjësit kanë tentuar të pengojnë procesin zgjedhor. Në ditët në vijim dosja në ngarkim të 6 ish-zyrtarëve do të kalojë në filtrin e gjyqtarit paraprak.