Si fitohet mbi komunizmin?

Miraka: Uran Kostreci shkëlqente kur ecte, kur rrinte dhe kur fliste

Simon Miraka, anëtar i Institutit për Informimin për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, komentoi figurën e Uran Kostrecit në studion e “Absolut 4”, në A2.

“Kemi humbur një njeri me shumë vlera. Urani shkëlqente kur ecte, kur rrinte dhe kur fliste. Vitet më të bukura të rinisë, i kaloi për fat të keq në burgun e Burrelit. Aty hyri në moshën 23 vjeç, por ajo që e mbajti gjallë Uranin ishte vetëm ndihma e Zotit. Dy nga 20 vitet e burgut i ka bërë në birucë, i zhveshur, i zbathur dhe zakonisht në biruca i fusnin në dimër, kur temperatura shkonte edhe minus 17 gradë”, kujton Miraka. (për më shumë)

Kapri: Kostreci, simbol i plagëve të së kaluarës dhe të sotmes

Erald Kapri, studiues historie, u shpreh në studion e “Absolut 4” në A2 se Uran Kostreci, pavarësisht 20 viteve burg, nuk merrte pension.

“Uran Kostreci ishte një simbol mes të përndjekurve politikë. Të gjithë mburreshin me karakterin dhe dëshirën e tij për të jetuar. Kishte humor dhe mungesë pozitive të hakmarrjes. Imagjino të bësh 20 vite burg dhe sot të mos kesh pension, është e paimagjinueshme. Ai po jetonte me paratë e burgut. Uran Kostreci është simbol i plagëve të së kaluarës dhe të sotmes”, theksoi Kapri. (për më shumë)

Kampi famëkeq i Tepelenës, Repishta: Fytyra më e zezë e regjimit komunist. Të nisë kërkimi i të pagjeturve

“Tepelena tregon fytyrën më të zezë të regjimit komunist, ku u dënuan gra e fëmijë, të rinj, pleq, të pafajshëm dhe kundërshtarë të regjimit”. Kështu u shpreh në studion e “Absolut 4” drejtuesja e kërkimit shkencor në AIDSSH, Aida Repishta, e cila bëri thirrje për kërkimin e të pagjeturve.

“Tepelena është vendi ku duhet të nisë kërkimi i të pagjeturve dhe t’u dërgohen familjeve. Tepelena është një plagë dhe një njollë e shoqërisë me të cilën shoqëria nuk është marrë dhe që duhet të trajtohet seriozisht”.

Duke sjellë në vëmendje një nga dëshmitë rrëqethëse të pelegrinazheve që kanë punuar rreth kampit, ku hasën eshtra fëmijësh, që sipas saj ato vazhdojnë të qëndrojnë atje.

“Në Tepelenë ne shkojmë për vit në ditën e totalitarizmit, të gjithë mblidhen në kujtim të familjarëve dhe me thirrje për shtetin që nuk po u përgjigjet për gjetjen e familjarëve të tyre. Një ndër dëshmitë e pelegrinazheve që kanë punuar rreth kampit është e personave që hasën eshtra fëmijësh dhe ata e ndaluan punën se ishte e pamundur dhe ato eshtra vazhdojnë të jenë atje”. (për më shumë)

Kapri: Kemi dështuar në procesin e dekomunistizimit, sot në shkolla periudha e diktaturës përmblidhet në një paragraf

Një mungesë e dukshme në rrëfimin historik të diktaturës komuniste është në edukim, dhe në një strategji kombëtare të mirëfilltë.

“Në këto 30 vite kemi dështuar në procesin e dekomunistizimit, që nga një anë të dënonte krimet e regjimit dhe nga ana tjetër të rehabilitonte shtresën e njerëzve që vuajtën nga sistemi komunist. Këto u bënë shkel e shko. U bënë gjyqe për shpërdorim detyre , ndërkohë që  integrimi i shtresës politike nuk u bë kur duhet, me dëmshpërblime që vijnë me copa, me prona që ende nuk kthehen”, thotë historiani Erald Kapri në Absolut 4.  

Por edhe sot shumë mund të bëhet. “Dënimi i krimeve duhet të ndodhet gjithmonë, edhe pas 100 vitesh. Duhet të kemi një ditë kujtese, një memorial kujtese, një program kombëtar që merret me regjimin komunist. Në Gjermani Hitleri studiohet shumë, ndërkohë që këtu kemi ende komplekse për të përmendur Enver Hoxhën”, vijon ai.  (për më shumë)