Sitet arkeologjike “përtokë”, KLSH dënon Ministrinë: Parqet pa siguri, pa politika zhvillimi dhe pa menaxhim

Politikat shtetërore të ndjekura nga Ministria e Kulturës, si ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin e siteve arkeologjike, për shkak të mungesës së një kuadri rregullator të plotë në menaxhimin e tyre, nuk kanë rezultuar efektive.

 Kjo është fjalia e parë në mesazhin e auditimit të kontrollit të lartë të shtetit për performancën e institucioneve në lidhje me trashëgiminë kulturore. Por, ajo që nënkupton KLSH përmes këtij mesazhi shtjellohet në 19 faqe raportim për gjendjen e atyre parqeve arkeologjike që do të mund të na sillnin përfitime.

Përveç parkut të Butrintit dhe atij të Apollonisë, Bylis, Amantia dhe Orikumi nuk kanë as punonjës për ruajtjen e tyre. Në fakt, gjatë izolimit dhe pikut të pandemisë, edhe Apollonia u dëmtua. Këto parqe vuajnë jo pak herë edhe nga gjendja e degraduar e rrugëve që I bën të vështira vizitat e turistëve, sidomos drejt Bylisit, ndërsa në parqet aarkeologjike të Amantias dhe Orikumit mungon sinjalistika orientuese.

Analiza shpjegon se në shumë raste mungon audioguida apo videoguida. Por, përtej shërbimeve minimale për të siguruar kushte në këto parqe, kjo analizë shpjegon se edhe promovimi I këtyre siteve çalon. Analiza e kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për sitet arkeologjike u bë publike në fund të pranverës së 2021, bashkë me rekomandimet se si mund t’i bëjmë të vizitueshme këto site arkeologjike dhe parqe kombëtare.