SPAK “hedh grepat” në Pogradec, dërgon në gjykatë ish-kryetarin e bashkisë dhe 5 ish-zyrtarë

Pas kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, SPAK ka “hedhur grepat” në Pogradec ku ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj Eduart Kapri, me detyrë ish-kryetar i Bashkisë dhe 5 ish-zyrtarëve të kësaj bashkie, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

Eduart Kapri, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 – 25 i Kodit Penal;  

Avdulla Cano, me detyrë ish-zv.kryetar i Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal;

Nexhmi Torra, me detyrë ish-koordinator i Njësive Administrative pranë Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal;

Enkeleida Kllomollari me detyrë ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore pranë Bashkisë Pogradec, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal;

Gurali Blaceri, me detyrë ish-punëtor i mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal;

Safet Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal;

Ky procedim është regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, dhe “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248-25 dhe 258-25 të Kodit Penal dhe në objekt të hetimit të tij ka patur dy fakte penale:

Fakti i parë penal, lidhet me procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”.

Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Fakti i dytë penal ka lidhje me ngjarjen e datës 28.06.2019, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit Gurali dhe Safet Blaceri, duke vënë dryna me çelës në rrethin e jashtëm në tre shkolla dhe një kopsht, institucione këto që ndodhen ne lagjet nr.2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor që do të zhvillohej në datë 30.6.2019. Në kushtet kur nuk ka pasur asnjë kërkesë për sigurinë e tyre, janë kryer veprime konkrete për mbylljen e këtyre institucioneve.