Tre shqiptare në Champions, Shkëndija synon përmbysjen, pak shanse për Teutën e Prishtinën

SHQIPTARET CHAMPIONS TEUTA SHKENDIJA PRISHTINA frame 544 1100x620

Shkëndija për të synuar përmbysjen dhe për të vijuar më tej, ndërsa Teuta e Prishtina kanë pak shanse pas humbjeve në ndeshjet e para.

Mbrëmjen e sotme tre skuadrat shqiptare janë të angazhuara në sfidat e kthimit në turin e parë eliminator të Champions League.

Humbja minimale në takimin e luajtur në Tetovë ishte një befasi për Shkëndijën, që gjithsesi ka shanse të rikuperojë disavantazhin. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka duhet që të paktën ta mbyllë kohën e rregullt në Slloveni me fitore 1-0, për të shpresuar te kualifikimi në turin tjetër.

Pas humbjes 4-0 në Durrës përballë Sheriff Tiraspol, Teuta është thuajse e eliminuar. Transferta e orës 19:00 në Moldavi është një formalitet, pasi shanset janë minimale dhe skuadrës së Martinit do t’i nevojitej më tepër se një mrekulli, tashmë që nga ekipi u largua zyrtarisht edhe ylli Dejvi Bregu.

Në të njëjtën situatë e sheh veten edhe Prishtina, pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë me Ferencvaros. Hungarezët ku aktivizohet ylli kuqezi, Myrto Uzuni, po mendojnë për vazhdimësinë në turin pasardhës, teksa kampionët e Kosovës, ashtu si edhe Teuta do të përqendrohen në turin e dytë të Ligës së Konferencave.

Pas eliminimit nga Champions, Prishtina do të ndeshet me fituesen e çiftit ndërmjet uellsianëve të Konah Kuej Nomads dhe armenëve të Alashkert, ndërsa Teuta do të jetë përballë Inter Club d’Escaldes nga Andorra.