Ujësjellës-kanalizimet, raporti: U përkeqësua mbulimi i kostove, uji pa të ardhura, mbulimi i furnizimit

Problemet në sektorin e ujit të pijshëm nuk u zgjidhën në dy mandatet e para të socialistëve. Përpara zgjedhjeve të 28 prillit, Rama iu rikthye të njëjtit premtim për furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm në të gjithë vendin.

Ndërkaq të dhënat e fundit dëshmojnë se treguesit kryesorë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve janë përkeqësuar. Sipas raportit të performancës së Entit Rregullator të Ujit, treguesi Mbulimi i Kostove Totale është përkeqësuar për vitin 2020, nga 77.5% në 74.9%.

Gjithashtu edhe treguesit “Uji Pa të Ardhura”, “Norma e Arkëtimit Korente dhe e Përgjithshme” si dhe “Mbulimi me Furnizimin me Ujë” paraqiten me rënie krahasuar me vitin 2019.

Raporti vlerëson se 65.4% e ujit që hidhet në rrjet humbet dhe nuk faturohet dhe ky tregues është në përkeqësim, duke shënuar nivele të larta e të papranueshme.

Faktorët si “lidhje të paligjshme”, “faturimi aforfe”, “leximet e gabuara nga faturuesit”, si dhe “sistemet me tubacione të vjetra” që ju bashkëngjitën shoqërive gjatë reformës së re territoriale janë disa nga faktorët që e mbajnë akoma këtë tregues në nivele kaq të larta.

Enti Rregullator vlerëson se sektori ka akoma nevojë që të subvencionohet nga qeveria, pasi rreth 47 shoqëri të ujësjellës kanalizimeve nuk arrijnë të mbulojnë 100% kostot e operimit dhe mirëmbajtjes. Raporti vlerëson gjithashtu se shoqëritë operojnë me një numër të lartë punonjësish, i cili në disa raste rritet artificialisht me punonjës që nuk përputhen me kërkesat dhe përshkrimet e vendit të punës.

Gjatë tetë viteve të fundit, qeveria e ka ndërmarrë dy herë reformën e ujit, por ajo nuk ka funksionuar, duke dëshmuar për një situatë të përkeqësuar në këtë sektor jetik.