“Uniformat e policisë si veshje Armani”, kryeinspektori i përgjithshëm: Të implikuarit duhet të bashkëpunojnë me drejtësinë

“Është vazhdim i lajmeve të mira pasi SPAK në një muaj e gjysmë ka 3-4 raste të goditjes së grupeve kriminale, më pas rasti i Lushnjës, por edhe nëpunësit civil në Ministrinë e Brendshme, të cilët nëpërmjet veprimeve të tyre kanë bërë korrupsion të hapur. Qytetarët po kuptojnë se në administratë ka njerëz të papërgjegjshëm, të cilët një uniformë normale të Policisë së Shtetit e tenderojnë dhe e blejnë me para publike me vlerën që kanë veshjet “Armani” apo firma të tjetra”.

Kështu u shpreh në “Dita jonë”, këtë mëngjes, kryeinspektori i përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, teksa komentoi arrestimet e fundit të SPAK. Më tej, ai theksoi se ka nisur koha që zyrtarët duhet të kuptojnë se me paratë publike nuk mund të luhet më.

“Këta zyrtarë kanë menduar se kurrë nuk do të goditeshin, kanë menduar se po administronin paratë e shtëpisë së tyre ose të vjedhura. SPAK po tregon se urtë e butë po godet me prova dhe ky është një ogur shumë i mirë”.

Në fund, kryeinspektori pati edhe një thirrje ndaj personave që janë goditur nga SPAK: “Nuk janë kaq trima. Këta duhet të bashkëpunojnë me prokurorinë pasi përfitojnë ulje të dënimit dhe nga ana tjetër bëhet edhe shembull në Shqipëri për të thënë që nëpërmjet tyre u goditën edhe të tjerët”.