A do të zëvendësohen shqiptarët nga punëtorët e huaj? “Impakt social për t’u studiuar, por do të bëjnë punët që të rinjtë nuk po prekin me dorë”

Ndërkohë që vala e emigrimit të shqiptareve nuk ndalet, vijon edhe ajo e kërkesave për azil të personave që vijnë kryesisht nga vende si Siria, Maroku dhe Afganistani, ku edhe pse të tkurrur nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, sërish ka patur 2232 azilkërkues.

Por mes tyre mund të jenë edhe ata që përbejnë krah pune që zëvendësojnë shqiptarët që po ikin, siç tha disa muaj më parë vetë kryeministri Rama?

Sipas pedagogut Rezart Prifti “kryeministri mund të ketë të drejtë, por nuk i jepet zgjidhje duke marrë nga Bangladeshi. Sot në tregun shqiptar të punës duke filluar nga zejtaria deri tek shërbimet, janë në një dramë, nuk kanë më kë të shërbejnë”.

Ndërkohë, Arben Shkodra, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, mendon se “aprovimi i ligjit për të huajt ishte një instrument “shortcut”, i kemi rënë shkurt pra. Unë kam rezerva, është bërë një studim për impaktin social dhe ekonomik që mund të ketë ky fluks. Këto resurse do t’i vijnë në ndihmë industrisë, por përdorimi i azilantëve do të jetë i vështirë për profesionet ku shërben përdorimi  i gjuhës shqipe dhe aftësive. Po përdoren për momentin për industri që kërkojnë aftësi më të ulët, po vijnë punëtorë fasonerie, në rregullimin e rrugëve, në ndërtim.

Zëvendësministri i Jashtëm Agron Tare e sheh këtë fenomen si pjesë e një dinamike normale. “Po integrohemi në BE, dhe është normale në ato shtete, në duhet të mësohemi se përpara këtë rrugë e kemi bërë ne. Por mos të keqkuptohemi, vetëm 1 mijë viza pune janë dhënë vitin e kaluar. Janë shumë pak. Patjetër që është për t’u  studiuar nga ana sociologjike, qeveria duhet të bëj të vetën, por nuk duhet parë si dramë por diçka normale”.

Sociologu Kosta Bajraba mbështet këtë ide duke thënë se “liberalizimi i punëtorëve të huaj në tregun e punës nuk është gjë e keqe është në linjë me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian. Punëtorët nga Bangladeshi do të bëjnë ato punë që nuk po prekin më me dorë shqiptarët” .