Alarmi “Delta”, Manastirliu: Po rriten infektimet, kryeni vaksinën për t’u mbrojtur

Edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar prania e variantit “Delta” në vendin tonë, autoritetet shëndetësore nuk fshehin shqetësimin për rritjen e infektimeve ditore dhe shtrimeve në spital.

Pas sinjaleve nga laboratori i ISHP-së për qarkullimin e mutacioneve të tjera të Covid-19, ministrja e shëndetësisë bën thirrje për të shtuar kujdesin dhe masat mbrojtëse.

Vaksinimi sipas Manastirliut është procesi më i rëndësishëm për mbrojtjen e jetës. Gjatë inspektimit të qendrës shëndetësorë në Borizanë, Manastirliu tha se vera do të jetë sezoni i vaksimit.

“Pritet që në ditët e ardhshme të mbërrijnë në vend, në kuadër të kontratës së qeverisë shqiptare, edhe 340.000 vaksina Coronavac, që na krijojnë mundësinë për të realizuar sërish ndërhyrje të rëndësishme në raport me hapjen e fashës së vaksinimit dhe gjithashtu edhe të ditëve të hapura në vijim, për grupmoshat +18 vjeç për t’u vaksinuar. Ky do të jetë një sezon, ku fokusi do të jetë tek vaksinimi dhe mbrojtja e jetës së çdo qytetari”

Java e fundit ka shënuar një rritje të infektimeve ditore dhe shtrimeve në spital.