Helmimi masiv në Deçan, drejtori i qendrës shëndetësore për A2: Nuk është uji, fluksi i pacientëve nuk është në rënie

Në Deçan, janë kryer ekzaminimet ndaj ujit që ishte i dyshuari kryesor për helmimin masiv të qindra qytetarëve kosovarë. A2 foli me drejtorin e qendrës shëndetësore në Deçan, Selmon Berisha, që mohon praninë bakteriale të ujit.

“Nga anamneza e pacientëve dyshimi i parë ishte për një infeksion hidrik, por pas analizave mikrobiologjike dhe kimike, Uji doli se nuk ka klor dhe negative janë edhe rezultatet bakteriologjike, kështu që duhet të tërhiqemi nga ky dyshim”, thotë drejtori për A2, duke pohuar se “ tani po bëjmë koprokulturen dhe analizat hematologjike, por ende nuk e dimë nga vjen këtë infeksion. Mund të jenë infeksione virale ose bakteriale”.

Për sa i përket simptomave, Berisha tha se “ pacientët kanë pasur dhimbje barku dhe koke, plogështi, jashtëqitje , skuqje të grykës, disa edhe temperaturë, dhe po i trajtojmë si gastroenterokolit akut”.

Sipas tij, “disa prej tyre kanë pasur nevojë për trajtim të mëtejshëm, por mund të  them që fluksi nuk është fatkeqësish në rënie. Ka edhe shumë që janë trajtuar në spitale private, ose në spitalin rajonal të Pejës dhe në  Gjakovë. Nga ajo që di unë pacientet janë 1248 në total, ndërkohë që sot janë paraqitur  186”.

Edhe pse fluksi mbetet i lartë ai sqaron se “zakonisht këto infeksione zgjasin 3-5 ditë, dhe tani jemi në ditën e katërt”.

Për s ai përket kapaciteteve të qendrës në Deçan, ai sqaron se “ne merremi vetëm me nivelin primar, nuk hospitalizojmë asnjeri, pacientet që kanë nevojë për specialistë shkojnë në Pejë. Bashkia ka shpallur gjendjen e emergjencës, kemi patur problem me ilaçet dy ditët  e parë, por ja kemi dalë falë disa donatorëve dhe më pas nga ngarkesa e ministrisë së Shëndetësisë”.