Helmimi në Deçan, mjekët konfirmojnë raste të reja të personave me probleme

Shkaku i helmimit të mbi 1 mijë personave në Deçan të Kosovës mbetet mister. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik konfirmoi se analizat e fundit mikrobiologjike të mostrave rezultuan negative, duke konfirmuar që uji nuk ishte I kontaminuar.

Pavarësisht kësaj, do të merren sërish kampionë për analiza dhe studime të mëtejshme. Teksa autoritetet tentojnë të zbulojnë shkaqet, situata vijon të jetë shqetësuese në Deçan.

“Në 24 orët e fundit janë gjithsej 310 pacientë me simptomatologji të njëjtë siç kanë qenë ditëve përpara, ndërsa që nga data 10 deri me 14 janë gjithsej 1 mijë e 62 pacientë.”, Selmon Berisha, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Deçanit

Qytetarët theksuan se ka mungesë të ilaçeve në qendrën e përkujdesjes shëndetësore. Rastet e para me simptoma të helmimit u raportuan të shtunën e kaluar.  Pas shpalljes së emergjencës, Deçani dhe pacientët u vizituan nga përfaqësues të lartë shtetërorë, duke filluar nga presidentja, Vjosa Osmani, e shumë ministra të qeverisë së Kosovës.