Kush ishte Isuf Luzaj?

Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit po punon për studime mbi mendimtarët e së djathtës shqiptare të përndjekur.

Do të jenë botime të ngjashme me ato që këto ditë prezantoi AIDSSH dhe Fondacioni Friedrich Ebert në Tiranë mbi mendimin politik të së majtës shqiptare.

Dhjetë intelektualë të mirënjohur, filozofë, gazetarë, mendimtarë e përkthyes, shkrimtarë e njohës shumë të mirë të dinamikave në vend e jashtë tij, janë trajtuar me profesionalizëm dhe në dritën e dokumenteve historike.

Sejfulla Malëshova, Konstandin Çekrezi, Tajar Zavalani, Musine Kokalari, Isuf Luzaj, Skënder Luarasi, Petro Marko, Xhavit Qesja, Isuf Keçi, Zef Mala e të tjerë personalitete, të frymëzuar për drejtësi shoqërore, punuan për ta ngritur e formësuar të majtën në vend, si e majtë europiane.  

Duke folur për emergjencën e një edukimi të strukturuar në shkolla përmes të vërtetave historike mbi komunizmin, në emisionin “Absolut 4” me Merita Haklaj në A2, u vu theksi edhe te rëndësia e botimeve të tilla, pasi ka personalitete me vlera që diktatura i asgjësoi me të gjitha mënyrat.

Një prej tyre është filozofi, Isuf Luzaj, që është konsideruar si një nga filozofët modernë më interesantë, i njohur ndërkombëtarisht, por aspak në Shqipëri. Për këtë personalitet ndanë disa detaje interesante e me vlerë, studiuesi Erald Kapri dhe Ardita Repishta, Drejtuese e kërkimit Shkencor në AIDSSH.