Pakënaqësi për masat, bizneset e Vlorës gati të ulin qepenat nga e hëna

Bizneset e Vlorës, kryesisht ato të lokaleve dhe restoranteve përgjatë Lungomares paralajmërojnë se do të mbajnë një protestë nga e hëna në lidhje me masat anti-Covid.

Përfaqësues të bizneseve, të cilët kanë nënshkruar në unanimitet dhe një ankesë, kërkojnë shtyrjen e orarit të mbylljes dhe atë për lejimin e muzikës duke qenë se jemi në kulmin e sezonit turistik.

Ata shprehen se nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, nga e hëna do të ulin qepenat në shenjë proteste.

Bizneset e cilësojnë situatën si të paprecedentë dhe akuzojnë policinë se me dhunë dhe arrogancë ka ndërhyrë në ditët e fundit në lokalet e tyre duke vendosur gjoba të padrejta.

Ata ankohen se nuk po përballojnë dot shpenzimet dhe me ironi ftojnë kryeministrin që të shkojë në Vlorë dhe të menaxhojë bizneset e tyre.