Rreth 1500 të helmuar në Deçan, Vitia thotë se dy vdekjet nuk kanë lidhje me helmimin nga uji

KR UPDATE HELMIMI KOSOVE frame 2639 1100x620

Rreth 1500 persona dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në Deçan të Kosovës. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitoi qendrën spitalore të këtij qyteti dhe personat e shtruar aty.

Ai konfirmoi se dy viktimat e dyshuara nuk kanë lidhje me atë çfarë ndodhi në këtë zonë të vendit.

“Dy rastet e vdekjes nuk kanë të bëjnë fare me situatën aktuale, me situatën e krijuar”, tha ministri.

Autoritetet lokale shpallën gjendjen e emergjencës në Deçan, ndërsa Prokuroria e Pejës ka kërkuar që të bëhet autopsia mjekoligjore për dy personat që kanë humbur jetën.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit me ç’rast Prokurori i Shtetit, përkatësisht i Departamentit të Krimeve të Rënda për shkak të situatës së krijuar në atë rajon ka dërguar dy trupat e pajetë për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të kuptuar shkaqet e vdekjes së dy viktimave”, u shpreh zëdhënësi i Prokurorisë.

Të gjitha veprimet e nevojshme hetimore janë ndërmarrë edhe për dyshimet për helmimin e qytetarëve. Në Deçan arritën një sërë ministrash dhe presidentja, Vjosa Osmani.

Një reagim ka pasur edhe kryeministri, Albin Kurti, që ndodhet jashtë vendin në vizitë zyrtare, duke theksuar se qeveria do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga kjo ngjarje.