Shqiptarja e parlamentit kroat, deputetja Lekaj: E vështirë të futesha, po rritet bashkëpunimi

Rezidentët shqiptarë në Kroaci kanë fatin që të kenë zërin e tyre edhe në parlament. Deputetja Ermina Lekaj, është e zgjedhura e tyre në tempullin e demokracisë, ndërsa përfaqëson dhe komunitetet e tjera.

“Parlamenti kroat është shumë me rëndësi që shqiptarët ta kenë zërin e tyre. Është shumë e vështirë në fakt që të kandidosh e të futesh aty, pasi janë 5 komunitete që zgjedhin vetëm 1 deputet. Është fitore e madhe për të gjithë ne shqiptarët. Para se unë të vija, e zgjedhura e komuniteteve ishte një boshnjak”, thotë ajo.

Kur vjen fjala tek interesi i shqiptarëve, Lekaj nuk kufizohet vetëm te parlamenti kroat. Ajo viziton shpesh Tiranën, ku nuk mungojnë diskutimet me zyrtarët vendas për çështjet e interesit, e një prej tyre është dhe korridori blu, një prej projekteve të para të nxitura përmes procesit të Berlinit nëvendet e Ballkanit perendimor.

“Dje kemi ardhur nga Kroacia me makinë, e na janë dashur 12 orë udhëtim. Me korridorin Blu kjo rrugë do të shkurtohet ndjeshëm. E nuk i vjen në shërbim vetëm Kroacisë, por edhe Malit të Zi dhe Shqipërisë.”

E një ndër fushat ku Lekaj mendon se Shqipëria mund të marrë më shumë prej Kroacisë është ajo e turizmit.

“Kroacia ka një traditë për sa i përket turizmit. Do të ishte mirë që të shkëmbeheshin përvojat midis Kroacisë dhe Shqipërisë. Vendi ynë, Shqipëria mund të mësojë shumë prej Kroacisë. Kur të shkoj në Kroaci, menjëherë do të bëj një takim me drejtorin e zyrës së turizmit, për të pasur një shkëmbim eksperiencash mes palëve.”

Si një rritje të marrëdhënieve bilaterale, por dhe ekonomike, deputetja shqiptare sheh dhe investimet e bëra nga kompani shqiptare në Kroaci dhe të anasjelltën.

“Kohëve të fundit ka disa persona që kanë investuar në Kroaci, por edhe e anasjellta. Ajo çka është më e rëndësishme është rritja e numrit të të rinjëve shqiptarë që punojnë në Kroaci.”

Bashkëpunimin mes palëve, zonja Lekaj e sheh gjithnjë e më të ngushtë, e për këtë si garanci jep punën e saj. Punë e cila ka ndikuar ndjeshëm në marrëdhëniet bilaterale dhe rritjen e angazhimit kroat për Shqipërinë.