Të krijuara nga trafiku i drogës, GJKKO kërkon konfiskimin e pasurisë së dy personave

Untitled collage 2021 07 14T095214.923 1100x620

Prokuroria e Posaçme i dorëzoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin kërkesën për konfiskimin e pasurive të shtetasve Armand Marku dhe Gerti Marku, (Ledio Hallkokondi).

Këta shtetas janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për “pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Për këtë arsye, prokuroria ka pasur dyshime se pasuritë e këtyre shtetasve janë krijuar nga veprimtaritë kriminale të tyre.

Njoftimi i SPAK

Pas verifikimeve të kryera, sipas kërkesës së prokurorisë fillimisht me vendimin nr.1, datë 09.01.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Tiranë, është vendosur sekuestrimi i disa pasurive në zotërim nga familjarë të afërm të shtetasve Gerti Marku dhe Armand Marku. Në përfundim të hetimeve pasurore të zhvilluara është arritur të provohet se plotësohen kushtet e parashikuara në ligj për konfiskimin e pasurive të sekuestruara sepse:

a) ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, për pjesëmarrje të personit në veprimtari kriminale, të parashikuara në nenin 3, pika 1, të ligjit nr.10192/2009;

b) rezulton se pasuria është, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të plotë ose të pjesshëm të personave të përmendur në nenin 3, pika 1, të ligjit;

c) nuk provohet se pasuria ka prejardhje të ligjshme apo personat e përmendur në nenin 3, të ligjit, nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të ardhurave, të cilat janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre.

Prokuroria e Posaçme me datë 13.07.2021 ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin kërkesën për konfiskimin e pasurive si më poshtë:

1. Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe totale 688 m2, si dhe objektin e ndërtuar mbi të, hotel “Harbour”, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.

2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 688 m2, së bashku me objektin përkatës të ndërtuar mbi të një pishinë, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.

3. Pasuria e paluajtshme e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 51 m2, e ndodhur në rrugën Don Bosco, Tiranë, e blerë në vitin 2017 me çmim 105 000 euro.