Vendimi i Kushtetueses, a ra herësi? Flasin anëtarët e KQZ

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e përllogaritjes së mandateve do të vër në lëvizje Kuvendin e pas 25 prillit për të amenduar Kodin Zgjedhor. Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve mendon se Gjykata nuk ka hedhur poshtë vetëm herësin, por komplet formulën. 

Ledio Braho, anëtar i KAS, mendon se vendimi i Gjykatës “hedh poshtë komplet skemën e ndarjes së mandateve. Duhet gjetur një zgjidhje”.

Tjetër lexim ka Dritan Çaka, i Komisionit Rregullator. Sipas tij, rrëzimi i herësit vetëm heq pengesën duke hapur tërësisht listat.

Ledio Braho, anëtar i KAS

Braho mendon se parlamenti në shtator mund të ndryshojë komplet sistemin elektoral, sidomos pas vendimit të Gjykatës. “A do te ndryshojë vetëm kjo çështje apo e gjithë formula zgjedhore, kjo mbetet për të parë dhe do të duhet dakordësi midis palëve. Por  e vërteta është që kështu si është Kodi nuk mund të shkohet më në zgjedhjet e përgjithshme, sepse është e pamundur shpërndarja e mandateve”, shton ai.  

Skema mbi të cilën u bë ndarja e mandateve parlamentare për zgjedhjet e 25 prillit tashmë është antikushtetues, ndonëse gjykata nuk i dha fuqi prapavepruese vendimit.

Dritan Çaka, Komisioni Rregullator

“Unë si jurist shoh aspektin ligjor dhe sipas ligjit ata kanë marrë mandatin. Aspekti moral mbetet në gjykimin e gjithsecilit, pasi patëm kandidat që fituan mandatin me 800 vota.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka trazuar skemën elektorale shqiptare ku aktorët kryesor politik, tashmë të imponuar edhe nga numrat në parlament, do të duhet të gjejnë një zgjidhje, nëse do ta eliminojnë tërësish konceptin e herësit apo ta lënë në nivel proporcional për të mundësuar kapërcimin e vijës fituese më lehtësisht.