Afrika e Jugut s’ka ushqime, 25 mijë ushtarë në rrugë pas trazirave dhe plaçkitjeve

MB USHTRIA AFRIKE frame 783 1100x620

Qeveria e Afrikës së Jugut shpërndau 25 mijë ushtarë në rrugët e vendit pas valës së protestave të dhunshme dhe plaçkitjeve.

Mbi 70 persona kanë humbur jetën dhe 1700 të tjerë janë arrestuar që prej trazirave që nisën pas arrestimit të ish-presidentit, Jacob Zuma. Qindra dyqane dhe biznese janë plaçkitur, ndërsa qeveria thotë se po vepron për të parandaluar mungesat në ushqime.

Qytetarët po formojnë grupe mbikëqyrje për të mbrojtur pronat nga shkatërrimi dhe djegia. Mbi 200 incidente me plaçkitje dhe vandalizëm janë regjistruar vetëm gjatë së mërkurës.

Dëshmitë e banorëve të shumta në Durban të Afrikës së Jugut, epiqendër e trazirave të vazhdueshme, tregojnë vështirësitë e mëdha në furnizimin me ushqime dhe produkte të domosdoshme. Ka paralajmërime që ky shtet do të vuajë edhe nga mungesa e karburantit.