Analiza post-zgjedhore, Pelinku: Teknologjia funksionoi, e vetme nuk mjafton

Teknologjia funksionoi, por e vetme nuk mjafton për të shmangur deformimin e zgjedhjeve. Ky është bilanci që i bën zëvendëskomisionerja shtetërore e zgjedhjeve, Lealba Pelinku, përdorimit të pajisjeve elektronike më 25 prill.

Përfundimi zyrtar i zgjedhjeve parlamentare pasohet nga bilanci i tyre. Më 25 prill, shqiptarët u identifikuan elektronikisht si garanci për një proces zgjedhor me një kosto të lartë për financat e brishta shqiptare.

Zëvendëskomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku në një intervistë për A2 tregon të mirat e këtij procesi.

“Teknologjia u kërkua në raport me problematikat e hasura në zgjedhjet e mëparshme besoj se ishte një kosto që ia vlejti barra qiranë që të përdorej”, u shpreh Pelinku.

Rezultati i zgjedhjeve nuk u njoh nga Partia Demokratike, e cila e quajti masakër elektorale. Por a mundi teknologjia të shmangte deformimin e zgjedhjeve?

“Pajisja e identifikimit apo kamera në QV arritën të shmangin atë që mund të ndodhte në QV, por çfarë ka ndodhur në QV dhe ditë përpara zgjedhjeve, për këtë jemi të gjithë të vetëdijshëm që këto problematika nuk mund t’i shmangë teknologjia”, shtoi ajo.

Krahas identifikimit elektronik, një pjesë e shqiptarëve patën mundësi të votonin elektronikisht dhe vota e tyre të numërohej nga pajisja teknologjike. KQZ kërkon që një projekt i tillë të shtrihet përtej një KZAZ-je të vetme, siç u bë më 25 prill.

“Unë shpresoj që të ketë një konsensus të gjerë nga aktorët politik për ta shtrirë këtë projekt në një rang më të gjerë. Ishte ndjeshëm numri i fletëve të votimit të pavlefshme nga çfarë u konstatua në qendrat e tjera”, përfundon Pelinku.

Pajisjet e identifikimit elektronik do të zbatohen edhe për katër procese të tjera zgjedhore.