Gjykata e “izolon” në shtëpi ish-zv.ministren, Voda iku “për peshk” me makinën e MB

Rovena Voda mbërriti me një makinë police në Gjykatën e Posaçme. Me avokatin në krah, ish-zv.ministrja e Brendshme kaloi pragun e gjykatës si e akuzuar nga SPAK për përfitimin e një vlere prej gati 2mijë eurosh në këmbim të punësimit në ministri të një 32-vjeçareje.

Gjykata e Posaçme la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, caktuar në mungesë ndaj saj, si edhe ndaj Majlinda Hasanit dhe Florida Beut. Mohimi i akuzës nga ana e Vodës, si edhe pretendimet e avokatit se masa duhej shfuqizuar nuk bindën gjyqtaren Irena Gjoka.

Sipas dosjes hetimore, në cilësinë e zv.ministres së Brendshme, Voda ka përfituar 1 mijë euro, një aparat telefonik celular dhe një arkë peshk nga dy të bashkë akuzuarat, me qëllim punësimin e Florida Beut.

Takimet mes të trejave janë realizuar në shkurt-mars 2020 në Ministrinë e Brendshme dhe në Durrës.

Hasani e Beu janë përgjuar në bisedat mes tyre, si edhe familjarëve, kur tregojnë për dhënien e një zarfi me 1 mijë euro Vodës, ku 32-vjeçarja shpreh bindjen se “duan lekë, se pa lekë nuk të bën njeri gjë”.

SPAK ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë të një bari në Durrës, ku Voda ka futur në çantën e saj një telefon blerë me herët nga Florida Beu për 550 euro.

Kjo ishte paraprirë nga një bisedë ku Florida saktësonte se zv.ministrja e donte “Samsung” dhe jo “iPhone”.

Ndërsa për marrjen e arkës me peshk, sipas SPAK, Voda ka shkuar në port me automjetin e Ministrisë së Brendshme që mbante si zyrtare e lartë dhe shoferin e saj.

Përballja me kamerat në hyrje, bëri që Voda të dilte nga një derë tjetër nga gjykata. Ajo përdori katin e nëndheshëm, që në përditshmëri përdoret për të pandehurit e prangosur.