Helmimi në Deçan, autoritetet: Janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri të ditur se nga mostrat e ujit, të marra në Deçan më 12 korrik, janë identifikuar disa baktere që “mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.

“Në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.”, thuhet në komunikatë.

Që prej të shtunës, mbi 1600 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

Një ditë më herët, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha se disa mostra të pacientëve të helmuar në Deçan do të testohen jashtë Kosovës.