Korrupsioni në spitale, Rama: Paturpësi kush kërkon legalizimin e ryshfetit

Nga kantieri i ndërtimit të maternitetit “Geraldinë”, kryeministri Rama dënoi ashpër thirrjet e mjekëve për të legalizuar ryshfetin, ndërsa njoftoi se sistemi antikorrupsion do të hetojë dhe në spitale.

Kryeministri shtoi se shumë shpejt do të aplikohet sistemi i autonomisë së mjekëve, që do të shpërblejë ata që punojnë më shumë.

“Më bëri shumë përshtypje para pak ditësh një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtetë mbresëlënëse për nga niveli i kurajës dhe paturpësia e propozimit. Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve duhet të rritet dhe ne do ta rrisim. Nuk është një zotim elektoral, zgjedhjet kanë mbaruar. Por është një zotim i planifikuar të mbahet që pagat për bluzat e bardha të rriten deri 40%. Me autonominë spitalore ne duam të kalojmë në një fazë të re të shpërblimit të mjekut, duke vendosur një dysheme dhe pastaj mbi atë dysheme mjekët të mos paguhen njësoj”, u shpreh Rama.