Krimet kibernetike në vend, rritje e ndjeshme vitet e fundit, kapja e autorëve mbetet ende sfidë

Krimet kibernetike kanë pësuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit në vend duke kulmuar gjatë vitit pandemik.

Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se gjatë vitit të shkuar u raportuan 236 raste nga 185 në vitin 2019. Lidhur me këto raste, të dhënat nga Prokuroria e Përgjithshme tregojnë se u kryen 156 procedime penale, 41 më shumë se në vitin2019.

Ndonëse rastet e evidentuara dhe procedimet janë në shifra të konsiderueshme, numri i personave të dënuar është në nivele shumë të ulëta. Të dhënat nga gjykatat në vend tregojnë se gjatë 2020-s u dënuan vetëm 6 personave me akuzën e kryerjes së krimeve kompjuterike nga 18 në vitin 2019.

Eksperti i teknologjisë, Besmir Semanaj ka këtë shpjegim fenomenin aspak pozitiv.

 “Pikat ku shteti shqiptar cedon është mosdënueshmëria. Kemi një mesatare e 2.5 personave të dënuara në vit. Krimet kibernetike janë goxha më të vështira për t’u vërtetuar, dhe zgjasin më gjatë. Rastet ku autoritetet shqiptare kanë patur sukses janë ato që kanë përfshirë edhe partnerët ndërkombëtare”, thotë ai për A2.

Trendi në rritje i kryerjes së krimeve kibernetike vijoi edhe gjatë këtij viti. Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se në 5 muajt e parë u evidentuan 171 raste të krimeve kompjuterike nga 72 në vitin 2019.