Mandati i kryebashkiakëve, zbardhen “dilemat” e Kushtetueses për Komisionin e Venecias

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur letrën që i ka dërguar Komisionit të Venecias, të cilit i drejton tre pyetje në lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Ndër to, duket se prevalon dilema se cili nga parimet kushtetuese është më i rëndësishëm.

Kushtetuesja shqyrtoi këto pretendime si dhe verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë po në ato zgjedhje në seancën plenare të datës 23 qershor, duke vendosur pezullimin e gjykimit të kësaj çështjeje dhe të kërkojë një opinion nga Komisioni i Venecias në lidhje me standardet dhe parimet që duhet të merren në konsideratë.

Janë tre pyetjet që do t’i parashtrohen Venecias.

E para, ka të bëj me interpretimin e nenit 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës, nëse pranon Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor.

“Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?”, është pika e dytë e parashtruar.

Kjo pyetje duket se ka munduar shtatë gjyqtarët kushtetues pasi mazhoranca përdori si argument se zgjedhjet nuk mund të shtyhen pasi zhvillohen një herë në katër vite ndërsa opozita akuzon procesin si monist pasi në 31 bashki kishte vetëm një kandidat për kryetar bashkie.

Pika e tretë, është “a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?”.

Vetë Komisioni i Venecias ka njoftuar se kërkesa është administruar tashmë dhe pritet që ti japë përgjigje pyetjeve në 14 tetor kur ka parashikuar edhe zhvillimin e seancës së radhës plenare dhe deri atëherë, Tiranën pritet ta vizitojnë vetë ekspertët ndërkombëtar për tu njohur me rrethanat e çështjes.