Mbështetja financiare e qeverisë për mbetjet në Durrës, reagon PD: Në shërbim të mafies së inceneratorëve

zhupa 1100x620

“Katastrofa mjedisore e Durrësit dhe e Kavajës ishte një strategji kriminale e Edi Ramës për të çuar mbetjet e këtyre zonave në landifllin e Sharrës, duke e vendosur shtetin dhe taksat e shqiptarëve në shërbim të mafies së inceneratorëve”. Është ky reagimi i Partisë Demokratike sa i takon situatës së mbetjeve në Durrës dhe zgjidhjes që qeveria ofroi sot.

“Sikurse e kemi paralajmëruar me qëndrimet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike më 10 korrik dhe 11 korrik,  plehrat u lanë me qëllim jashtë kontrollit në këto zona turistike, për të nxitur një krizë dhe pastaj për të ofruar një zgjedhje nga po ata që e prodhuan këtë krizë.

Prandaj edhe vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave që ofron mbështetje financiare për të çuar paratë te mafia e inceneratorëve, është kompletimi i një cikli të mirëfilltë kriminal”.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputetja e zgjedhur demokrate Ina Zhupa u shpreh se vënia në rrezik e jetës së qytetarëve është një nga metodat më antinjerëzore të qeverisë.

“Vënia me vetëdije në rrezik të shëndetit të qytetarëve të Durrësit dhe Kavajës, vetëm për të pasuruar klientët e Edi Ramës është një nga metodat më antinjerëzore të zbatuara nga kjo bandë plaçkitësish.

Partia Demokratike prej vitesh ka denoncuar këtë aferë kriminale, ne sot kërkojmë që SPAK të veprojë me urgjencë, kundër këtij krimi që rrezikon shëndetin e dhe taksat shqiptarëve”.

Qeveria ka nxjerrë sot një vendim me anë të së cilit njofton se do të mbështesë financiarisht bashkitë e qarkut Durrës për menaxhimin e mbetjeve.

Sipas vendimit të firmosur nga zv.kryeministri Erion Braçe, në pikën 1 thuhet që bashkitë e qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.