Pandemia rrit sëmundshmërinë, fluks pacientësh në QSUT, mbi 200 urgjenca në ditë

Ditët më të nxehta të verës shënojnë edhe pikun e urgjencave shëndetësore. Mbi 200 pacientë  i drejtohen çdo ditë urgjencës polivalente në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Shefi i këtij shërbimi tregon për A2 se i nxehti nuk është i vetmi faktor në rritjen e sëmundshmërisë në këtë periudhë. Për doktor Eqerem Hasanin pandemia e koronavirusit ka lënë shumë sëmundje pa trajtuar.

A janë temperaturat e larta faktor? Padyshim, por faktor kryesor është pandemia, sepse shumë pacientë kronikë ishin ndrydhur nga frika për të ardhur në spital, dhe tani i nxehti ka ndihmuar që të shpërthejë gjithçka”, thotë mjeku.

Eqerem Hasani

Pjesën më të madhe të urgjencave vijnë nga pacientët e mbi 60 vjeç. Shqetësimet kryesore vijnë për shkak të problemeve kardiake, nga diabeti dhe hipertensioni.

Shefi i urgjencës së QSUT thotë se këtë periudhë nuk mungojnë as virozat e stinës që mund të ngatërrohen edhe me shenjat e koronavirusit. Këta paciente i nënshtrohen edhe testit për Covid.

Në këto ditë të nxehta, mjekët rekomandojnë veçanërisht të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, të shmangin daljet në pikun e vapës si dhe të konsumojnë lëngje dhe ushqime të freskëta.