Bllokohet qasja në internet, SHBA i kërkon Kubës të lirojë të arrestuarit

Mund të konsiderohet një fitore e vogël për protestuesit. Kuba ka hequr përkohësisht tarifat e importit mbi ushqimet, medikamentet dhe produkte të tjera të domosdoshme pas trazirave të fundit.

Duke nisur nga e hëna që vjen, nuk do të ketë asnjë limit për mallrat që do të sillen nga udhëtarët deri në fund të vitit. Mijëra persona pushtuan rrugët duke protestuar për mungesat e theksuara në ushqime dhe ilaçe, rritjen e çmimeve dhe për menaxhimin e qeverisë komuniste të krizës shëndetësore të Covid-19.

 Qindra janë arrestuar dhe shumë të tjerë janë shpallur të zhdukur. Sipas raportimeve, deri më tani është vrarë një protestues në përleshjet e rënda me policinë në Kubë. Qeveria komuniste mbylli kanalet e komunikimit dhe internetin, në përpjekje për të frenuar organizimin e qytetarëve.

 “Me këto revolta që po ndodhin në vend, dhe njerëzit që nuk bien dakord për shumë gjëra dhe gjithçka që po ndodh, ne jemi nën një presion shumë të lartë”, shprehet Yusumi Castillo, banore e Kubës.

 “Nuk kam mundur që të lidhem me internet. Për shumë ditë nuk kemi pasur rrjet pasi ata e ndërprenë atë. Ditën e parë bllokuan thirrjet dhe më pas gjithçka”, shprehet Andrea Lopez.  

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bën thirrje për heqjen e këtyre kufizimeve dhe lirimin e të arrestuarve.

“Mbështesim popullin e Kubës dhe thirrjen e tyre për liri nga pandemia dhe dekadat e shtypjes. Protestat në Kubë, siç e dini, janë ndaluar në pjesën më të madhe për shkak të reagimit të dhunshëm dhe masave ndëshkuese kundër kubanëve që ushtrojnë të drejtat themelore dhe universale. Kjo është e papranueshme”, shprehet Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Regjimi komunist në Kubë fajëson Shtetet e Bashkuara për situatën e krijuar me mungesën në ushqime dhe ilaçe dhe kërkon heqjen e sanksioneve.