Tokyo 2020, të tjerë raste pozitive, “lumë” kritikash për Lojërat Olimpike

TOKYO RASTET POZITIVE frame 576 1100x620

Covid-19 vazhdon të krijojë probleme në Japoni , ndërsa Tokio përgatitet ti jap start Lojërave Olimpike më 23 korrik. Edhe një vit pas shtyrjes situata me pandeminë nuk është aspak e mirë në kontinentin aziatik megjithatë nuk ka kthim pas për zhvillimin e Olimpiadës.

Shqetësimi mbetet prezent nga momenti që organizatorët njoftojnë herë pas here për raste pozitive në fshatin olimpik, siç njihet mini-qyteti ku do të qëndrojnë sportistët pjesëmarrës nga i gjithë globi.

Një atlet që ndodhet aktualisht në Tokio, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, sikurse 5 punonjës të terreneve sportive kanë rezultuar të prekur pas testimeve. Këta të infektuar vijnë pas 8 rasteve pozitive të stafit të “Tokyo 2020” në një zonë ku po qëndron kombëtarja braziliane e xhudos dhe pas një rasti pozitiv në radhët e përfaqësueses ruse të regbisë.

Të gjithë të infektuarit mbeten në izolim për të paktën 2 javë. Kritikat ndërkohë nuk kanë të ndalur në Japoni sa i përket vendimit për zhvillimin e Lojërave. Një pjesë e madhe e popullsisë janë kundër sepse e shohin si kërcënim serioz për përhapjen edhe më të madhe të pandemisë në një kohë kur me 1149 raste pozitive ditore, Tokio ka regjistruar numër rekord të infektuarish prej muajit janar.