USAID dhuron ndihma për doganën e Qafë Thanës, Kim: SHBA po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt

Nga dogana e Qafë Thanës, ku USAID dhuroi disa pajisje për autoritetet doganore në të dyja anët e kufirit, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim u shpreh se SHBA po e bën Ballkanin Perëndimor një vend më të sigurt e demokratik.

Së bashku me homologen në Shkup, diplomatja Kim rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së, për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

“Jam këtu për të theksuar se si ndihma e SHBA-së po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Jo shumë kohë më parë kufijtë kanë qenë si mure, sidomos në këtë rajon, nën pretekstin e sigurisë kombëtare duke ndarë njerëzit, duke penguar tregtinë, besimin e ndërsjellë.

Ndërsa sot, qëndrojmë në një kufi që është jo vetëm më i sigurt, por synon të sjellë njerëzit më pranë dhe të çojë përpara integrimin paqen dhe begatinë. Sot, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në prag të anëtarësimit në BE, dhe SHBA e mbështet këtë qëllim. Pajisjet e blera nga USAID do të sigurojnë që autoritetet doganore të arrijnë standarde më të larta në procedurat kufitare, lehtësimin e mjedisit për biznesin dhe kontrolleve për sigurinë”, tha mes të tjerash, Yuri Kim.