Britani, rekord infektimesh nga janari, por të hënën “hapet” gjithçka

britania e madhe 1100x620

Mbretëria e Bashkuar ka përjetuar shifrën më të lartë të infektuarve nga COVID-19 nga janari i kaluar. Autoritetet britanike kanë regjistruar 51.870 raste pozitive, pothuajse në totalitetin e tyre nga varianti Delta, shumë më i ngjitshëm dhe agresiv se varianti origjinal.

Numri i të vdekurve, 49, tregon gjithsesi se fushata e vaksinimit ka bërë efekt, dhe se virusi po përhapet më së shumti tek të rinjtë, që përjetojnë pasoja më të lehta.

Por mjekët janë të shqetësuar nga fakti që shifrat po regjistrohen në një moment kur të hënën  e ardhshme pritet ai që nga mediat britanike është cilësuar si Liberation Day, praktikisht rënia e pjesës më të madhe të masave parandaluese në gjithë vendin, veçanërisht në Angli.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Sajid Javid, virusi mund të ketë ritme deri në 100 mijë raste në ditë në gusht, që nuk do të risjellin momentet e frikshme të fillim vitit por që do të krijojnë vështirësi të paktën për sistemin shëndetësor britanik.

Në Britaninë e Madhe, pothuajse 70% e të rriturve janë vaksinuar me dy doza, ndërkohe që pothuajse 90% kanë marrë të paktën dozën e parë.