“I dha tendera kunatit të tij”, SPAK çon për gjykim dosjen ndaj shefit të logjistikës së burgut

SPAK SEKUESTRO ISH GJYQTAREVE frame 1313 1100x620

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur këtë të premte se ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.89/1 të vitit 2020. Në përfundim të hetimeve paraprake është marrë i pandehur dhe është dërguar për gjykim me masë sigurie personale “arrest në burg”, i pandehuri: Florin Ahmetaj (Përgjegjës i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja”, Tiranë), akuzuar për veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal.

Hetimet e këtij procedimi penal kanë evidentuar faktin se:

I pandehuri Florin Ahmetaj, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja”, Tiranë dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla në këtë IEVP, ka krijuar në datën 28.01.2019 një person tregtar fizik, të cilin e ka regjistruar në emër të kunatit të tij. Pas regjistrimit të personit fizik, duke përfituar nga pozita e tij si Shef i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja” dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla, bën të mundur që në mënyrë të kundraligjshme personi fizik të përfitojë kontrata në disa procedura prokurimi dhe blerje pranë IEVP “Jordan Misja”. Megjithëse një subjekt tregtar i ri dhe pa eksperiencë, brenda një periudhe 14-mujore subjekti tregtar, person fizik, ka fituar 12 procedura prokurimi dhe blerje, me vlerë rreth 2,7 milionë lekë (të reja), të organizuara nga ana e IEVP “Jordan Misja”, Tiranë.