Zbardhet vendimi i Kushtetueses: Favorizohet një subjekt privat, Teatri dëshmi e trashëgimisë

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për shfuqizimin e ligjit special mbi Teatrin Kombëtar. Si arsye kryesore të shfuqizimit të ligjit, Kushtetuesja cilëson favorizimin e subjektit privat që zotëron një pjesë të pronave në zonën ku do të zhvillohej projekti i ri.

Gjykata vlerëson se kriteri i parashikuar në pikën 3 të nenit 6 të ligjit nr. 37/2018 bën trajtim favorizues për shoqërinë, e cila zotëron një pjesë të pronave në zonën ku do zhvillohet projekti. Ky kriter jo vetëm është dekurajues për shoqëritë e tjera private, por edhe është i pamundur për t’u përmbushur prej tyre, duke qenë se ato vihen para kushtit për të arritur një marrëveshje pikërisht me vetë shoqërinë “Fusha”sh.p.k.

Sipas Gjykatës, autoritetet publike nuk arritën të bindin se kanë bёrё pёrpjekje serioze nё analizimin e mundësive tё realizimit tё projektit me fonde publike, duke rrëzuar pretendimin për mungesë fondesh.

Kushtetuesja e cilëson teatrin si dëshmi materiale e trashëgimisë kombëtare.

“Gjykata vlerëson se nga dokumentacioni i paraqitur nga palët pjesëmarrëse në gjykimin kushtetues nuk rezulton qartësisht se cilat kritere mungonin që ky objekt të shpallej me vlerë kulturore , si dhe përse nuk ka mbizotëruar nevoja për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të tij.”

Për sa I përket kalimit të pronws nga qeveria te Bashkia e Tiranës, Gjykata Kushtetuese vlerëson se nuk është marrë në konsideratë paraprakisht vendimi i Këshillit Bashkiak, duke shkelur parimin e decentralizimin dhe qeverisjes vendore. Një arsye e dytë është se me vendimin e saj qeveria injoronte ligjin e miratuar për të njwjtin qëllim.

“Gjykata vlerëson se miratimi i të njëjtave rregullimeve me dy akte me vlerë të ndryshme ligjore, pa asnjë referencë te njëri – tjetri, nga dy organe të ndryshme, cenon parimin e hierarkisë së akteve ligjore dhe krijon, gjithashtu,  pasiguri dhe paqartësi në zbatimin e këtyre normave juridike.”

Në lidhje me shembjen e Teatrit, Gjykata thekson se nuk e ka shqyrtuar kërkesën për mungesë të kuorumit prej 5 votash.