Kuvendi i demokratëve: Nga analiza e 25 prillit te strategjia politike për të ardhmen

17 korriku shënon mbledhjen e strukturës më të lartë vendimmarrëse të Partisë Demokratike, atë të Kuvendit Kombëtar. Hapja e kësaj mbledhjeje do të mbahet në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve. Pjesë e rendit të ditës është analiza e asaj që demokratët e quajnë masakër zgjedhore e 25 prillit dhe përcaktimi i linjave kryesore të strategjisë politike të Partisë, sa i përket muajve të ardhshëm. Pritet që fillimisht të jetë kryetari Lulzim Basha ai që do të mbajë mesazhin e tij me anëtarët e Kuvendit e tij.

Më pas, do të jenë 19 drejtuesit politikë të PD-së që në fokusin e tyre do të kenë informimin dhe analizën për zonat që kishin në ngarkim gjatë zgjedhjeve të kaluara. Pika e dytë e diskutimit do të jetë vlerësimi i mundësisë për ndryshimet statutore dhe miratimi i tyre, nga të cilat komisioni i përhershëm statutor pranoi vetëm ato të Lulzim Bashës. 

Pavarësisht se Kryesia e PD-së nuk pranoi propozimet e kritikëve të kryetarit, Edit Harxhit dhe Fatbardh Kadillit, ata shpresojnë se Kuvendi i Demokratëve do të marrë në shqyrtim idetë e tyre për rimëkëmbjen e partisë.

Votimi për kandidatët e Këshillit Kombëtar do të nisë në orën 12:00 dhe do të mbyllet në orën 16:00. Numërimi i votave do të nisë në orën 18:00 në selinë blu dhe rezultati pritet që të dalë të nesërmen. Në rendin e ditës së Kuvendit parashikohet edhe një hapësirë për diskutim të hapur, por kush dëshiron t’i drejtohet delegatëve duhet të regjistrojë emrin në fillim të mbledhjes.