Mjekët e Diasporës propozojnë pagë 1500 euro për mjekët për “të shëruar” korrupsionin

Debati që shkaktoi deklarata e mjekut Myftar Torba për zyrtarizim të bakshishit, mobilizoi mjekët e diasporës për të dalë me një propozim konkret që ishte rritja e pagës së mjekëve në 1500 euro. Mjekja Elona Meta tha në Ditari në A2 CNN se paga me standarde për mjekët është ilaçi që shëron korrupsionin në mjekësi, ndërsa e konsideron të papranueshme deklaratën e mjekut Torba.

“Vendosni një pagë më standarde 1500 euro për mjekët, është ilaçi për korrupsionin. Nënkuptohet paga për një mjek të sapodiplomuar dhe kërkon të punojë si mjek i përgjithshëm ose të specializohet. Korrupsioni është një plagë që na ka prekur ne dhe pacientët. Nuk më ka ardhur mirë për deklaratën e mjekut Torba, se ne kemi një rrjet në Facebook që janë gjithë mjekët e Shqipërisë e jashtë dhe është komentuar negativisht deklarata e tij është e papranueshme. Ryshfeti nuk mund të legalizohet si në aspektin moral apo ligjor. Humanizmi dhe shëndeti është prioriteti ynë kryesor”.

Sipas saj pavarësisht arrestimeve të mjekëve, asgjë nuk ka ndryshuar pozitivisht për të zgjidhur këtë fenomen. Ajo thekson se mjekët e Diasporës janë mobilizuar për të zgjidhur problemin e korrupsionit, por edhe të largimit të mjekëve.

“Janë bërë shumë arrestime, mjekët më pas janë liruar pro jo nuk ka ndikuar pozitivisht dhe i ka bërë ata të pakënaqur nga nënvlerësimi dhe dhuna verbale. Duke pasur parasysh se paga është 400 euro, dhe shpenzimet mujore i tejkalojnë ato. Dhe është e vetëkuptueshme që mjekët të shkelin betimin e Hipokratit duke marrë ryshfete dhe prandaj jemi mobilizuar që të pengojmë korrupsionin dhe ikjen masive të mjekëve”.

E pyetur nëse do të ketë një valë tjetër pandemie, mjekja Meta apelon se çelësi i suksesit përveç vaksinimit është edhe ruajtja e masave mbrojtëse. Ajo deklaroi se në fund të viti mund të ketë relaksim të dukshëm të masave.

“Përflitet për valën e tretë të pandemisë në shtator. Masat janë liruar po vende të ndryshme kanë strategji të ndryshme në ambiente të hapura janë hequr maskat kurse në të mbyllura jo. Mendoj që ruajtja e masave është çelësi i suksesit përveç vaksinimit.

Në aspektin psikologjik pandemia ka ndryshuar mënyrën e të jetuarit. Ka pasur efekt negativ, por edhe pozitiv për të kuptuar vlerën e jetës dhe për të çuar para disa nisma. Mendohet që në fund të vitit të kemi një relaksim të dukshëm të masave dhe vitin tjetër mund të jetë më i pranueshëm për ne”.