Raporti i “Financave”: 10 mln euro dëm ekonomik gjatë 2020-s, pjesa më e madhe nga prokurimet

Një raport-auditi i kryer nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi menaxhimin e financave publike, doli në përfundimin se dëmi i shkaktuar në buxhet gjatë vitit të shkuar i kaloi 10 milionë euro. Sipas raportit, vetëm nga shkeljet në tenderat publikë u prodhuan efekte negative financiare në vlerën e mbi 4.5 milionë euro.

Parregullsitë në procedura dhe shkeljet në tendera publikë i shkaktuan Buxhetit të Shtetit një dëm prej më shumë se 10 milionë euro. Ky është përfundimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në raportin vjetor të auditimit mbi menaxhimin e financave publike gjatë vitit 2020.

Sipas raportit, efektet negative financiare të shkaktuara nga keqmenaxhimi u rritën me 36 për qind krahasuar me 2019-n, vit në të cilin u evidentuan 7.4 milionë euro dëm ekonomik.

Shkeljet në tenderat publikë prodhuan edhe efektin më të madh në dëmin ekonomik. Të dhënat nga financat tregojnë se gjatë vitit pandemik u evidentuan më shumë se 4.5 milionë euro efekt negativ nga prokurimet.

Përveç prokurimeve, shkeljet në fondet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimet e doganat, administrimi i pronave, privatizimet, koncesionet, legalizimet dhe kreditimet e parregullta ndikuan në dëmin ekonomik prej më shumë se 1.2 miliardë lekëve.

Nisur nga shqetësimet në rritje, si dhe arrestimet e disa zyrtarëve për shkelje në prokurimet publike nga SPAK, kryeministri Rama prezantoi pak ditë më parë paketën e re të prokurimeve publike, e cila ka për synim të rrisë transparencën.