Reformimi i PD, Bozdo: S’mund të vazhdojmë me të njëjtën mënyrë të të bërit opozitë

Eno Bozdo, anëtar i Kryesisë së PD-së, ishte i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2 nga ku komentoi zhvillimet e një dite më parë të mbledhjes së kryesisë.

Ai u shpreh se partia ku ai bën pjesë duhet të ndryshojë dhe menjëherë më pas do të marrë besimin e shqiptarëve.

“Unë i kërkova kryetarit të partisë që të jepet sinjali që përveçse asaj që ne kemi identifikuar dhe është e vërtetë, Rama i ka përdorur të gjitha instrumentet dhe këtë ne e dimë. Kjo nuk është ezauruar si temë, nëse nuk bëjmë diçka, e njëjta histori mund të na përsëritet. Mendoj se shoqëria shqiptare pret shumë nga PD-ja. Unë besoj se PD-ja mund të ndryshojë dhe këtë e ka në ADN dhe pasi të ndryshojë do të marrë besimin absolut të të shqiptarëve”.

Sa i përket platformave për ndryshimet statutore në PD, Bozdo u shpreh se janë mjaft të avancuara dhe aty përmendi edhe platformën e Kadillit.

“Platformat që janë shumë të avancuara, një prej tyre e zotit Kadilli, e cila reflekton atë që PD-ja ka qenë në vitet 90. Idetë janë atje dhe nuk mund të mbyllen më në shishe, kanë dalë nga shishja.

Ne nuk mund t’i flasim fermerëve vetëm në premtime të fushatës, apo grupe të tjera të interes. PD-ja duhet të jetë më e hapur, duhet të kuptojë çfarë kërkon shoqëria sot. Kjo parti nuk mund ta shohë këtë punë me fushatë, por të thithë të gjitha idetë që vijnë nga grupet e interesit”.