Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Tragjedi në Gjermani, përmbytjet shkaktojnë mbi 100 viktima, 1300 të zhdukur

Nga A2 CNN
16 Korrik 2021, 08:47 | Bota

Është një tragjedi e rëndë. Mbi 100 persona kanë humbur jetën në përmbytjet e mëdha që prekën zonat perëndimore të Gjermanisë. Mbi 1300 persona janë shpallur të zhdukur, duke shtuar frikën e autoriteteve që bilanci mund të përkeqësohet. Shirat në nivele rekord tejmbushën lumenjtë, të cilët dolën nga shtrati i tyre, duke marrë përpara thuajse gjithçka. Ndërtesa të shumta janë shkatërruar dhe dëmtuar, ashtu si dhe automjetet.

“Vendet paqësore po përjetojnë një katastrofë, e cila mund të konsiderohet edhe një tragjedi. Shira të dendur dhe përmbytjet nuk mund të përshkruhen mjaftueshëm. Thjesht është një katastrofë. Jam e shokuar nga informacionet që marr për qytetet nën ujë, në të cilat njerëzit në nevojë të madhe po hipin në çatitë e tyre për të shpëtuar”, tha Merkel.

Rrugët dhe metodat e tjera të qarkullimit janë bllokuar nga pemët e rrëzuara dhe mbetjet e tjera. Faji për këtë fatkeqësi natyrore, që vjen një herë në gjeneratë, shihet te ndryshimet klimatike.

“Nuk kemi përjetuar kurrë një katastrofë si kjo. Fuqia e natyrës, të cilën po e dëshmojmë, na la pa fjalë. Jemi të trishtuar pasi kjo katastrofë ka marrë jetë”, tha Malu Dreyer, drejtues i landit Rhineland-Palatinate.

“Është një fatkeqësi natyrore. Por fakti që po ndodh në këtë mënyrë, sigurisht që lidhet me ndryshimet klimatike që përparojnë me një shpejtësi të madhe”, tha Olaf Scholz, zv.kancelar i Gjermanisë.

Shumë njerëz janë evakuuar nga banesat e tyre në rajonet perëndimore të Gjermanisë. Qindra ushtarë dhe 2500 punonjës social janë angazhuar në ndihmë të policisë në operacionet e kërkim-shpëtimit. Në zonat e përmbytura janë dërguar dhe tanke, kryesisht në vende me rrëshqitje dheu. Ka monitorime edhe nga ajri, me anë të helikopterëve. Mbi 200 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike si shkak i përmbytjeve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë