Turi i dytë i Conference League, Teuta e Shkëndija besojnë, duele luksi për Partizanin e Dritën

TURI I DYTE CONFERENCE LEAGUE NDESHJET E EKIPEVE SHQIPTARE 1100x620

Kualifikimi i Partizanit, Laçit dhe Vllaznisë regjistroi një tjetër sukses për skuadrat e Kategorisë Superiore, të cilat edhe këtë vit kaluan një tur në Europë. Aty u shtohet Teuta, e cila zbret në Conference League pas pjesëmarrjes në Champions, ndërsa në total numri i ekipeve shqiptare në turin e dytë është në tetë.

Rruga e përcaktuar nga shorti i ka buzëqeshur disa skuadrave. Duke nisur nga Teuta që e ka praktikisht të sigurt kualifikimin përballë Inter Club d’Escaldes nga Andorra. Edhe Shkëndija mund të besojë te kalimi në turin e tretë, pasi luan ndaj letonezëve të Rigas. Kundërshtar relativisht më i vështirë ai i Prishtinës, që do të matë forcat me uellsianët e Connah’s QuayNomads.

Sfidë e vështirë ajo e Laçit përballë Universitatea Craiova, skuadrës që sezonin e kaluar u pozicionua e dyta në kampionatin rumun. Qipriotët e AEL Limassol janë rivalët e radhës së Vllaznisë, me shkodranët që janë entuziastë pas suksesit me përmbysje ndaj Široki Brijeg. Tejet e vështirë ecuria e Shkupit, që do të sfidojë portugezët e Santa Clara.

Duele luksi për Partizanin dhe Dritën, të cilat do të ndeshen me rivalë me emër në kontinent, por kjo bën të kenë pak shanse të kualifikohen. Të kuqtë luajnë kundër zviceranëve të Basel, ndërsa skuadra nga Gjilani përballet me holandezët e Feyenoord. Ndeshjet e para luhen më 22 korrik, ndërsa takimet e kthimit në datën 29.