“Vafsh në djall!”, pas “dasmës” së munguar me BE, Krasniqi: Deklarata e Ramës shqetësoi kancelaritë kryesore

Për politologët dhe ekspertët e komunikimit, kryeministri Rama u shpreh me gjuhë antieuropiane në samitin e organizuar nga ish-kryeministri grek, George Papandrou, në Athinë, kur ndër të tjera, iu drejtua Brukselit “vafshi në djall”, në kuadër të ankesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për mungesën e vendimeve të BE-së, në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për drejtuesin e Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, kjo ishte ngjarja e javës në raportin e Shqipërisë me botën. “Në dijeninë time, kancelaritë kryesore perëndimore kanë qenë shumë të shqetësuar dhe kanë pasur raporte nga Shqipëria, sepse e kanë shumë të vështirë për ta kuptuar shqip dhe anglisht, edhe shprehjen e përdorur; edhe konceptin e martesave që është bërë trendi; edhe konceptin që nuk kemi nevojë për ju dhe batutën e famshme ta marrë Turqia, BE-ja dhe pastaj do pranohemi”, tha Krasniqi në emisionin “Absolut 4”, në A2 CNN.

Sipas tij, janë dy lloj shpjegimesh dhe i pari është se Rama nuk po sillet si kryeministër. “Këtë mund ta thotë një aktor i Portokallisë apo tifozë me birrë para, por jo kryeministri i Shqipërisë në vendin më pro europian dhe në vendin ku nuk kemi alternativë “B”, dhe e kemi jetike Bashkimin në Europë. Shprehja “vafshi në djall” duhet të shkojë për këta që e bëjnë këtë gjë, jo për Europën e Perëndimin.

Edhe shpjegimi i dytë, sipas politologut Krasniqi, lidhet me mungesë serioziteti dhe realizmi nga ana e Shqipërisë në raport me ndihmën e BE-së ndaj vendit tonë. “Nuk jemi vendi që i kemi bërë detyrat për dhjetë dhe dikush na ka hyrë në hak. Europa na mori përpara na bëri reformë në drejtësi, na ndihmoi për tërmetin, për pandeminë, na i arreston kriminelët, na i sjell dosjet e gatshme, dhe thotë “ju lutem bëni diçka”.

Ne me notën minimale që na kanë dhënë duhet të sillemi shumë modestë, me këmbë në tokë e të kemi strategji afatgjatë, sepse ky është investim i frymës antieuropiane në Shqipëri dhe detyra funksionale e Kryeministrit edhe për shkak të Strategjisë për Sigurinë Kombëtare është që të investojë për frymën europiane në Shqipëri. Sipas Krasniqit, në kushtet kur nuk kemi Parlament, kur as opozita nuk reagoi dhe media u tregua e vakët në komente duket sikur e marrim të mirëqenë se Ramës i lejohet gjithçka.

“Por ky është kryeministri i Shqipërisë, fytyra jonë në perëndim. E kemi përkrahur kryeministrin sa herë ka mbrojtur interesat e Shqipërisë me dinjitet, por ky është nga ato raste që meriton kritika të forta”, tha Krasniqi, duke theksuar nevojën për t’i dhënë fund politikës aventuriere dhe amatore të marrë fund e për t’u paraqitur në Bruksel me detyra shtëpie të kryera, me realizëm dhe strategji dhe pa kriza politike.

“Shpresoj që mos ta fillojmë shtatorin me një krizë të re politike për të kërkuar ndërmjetësimin e Brukselit”, tha Krasniqi. Një koment erdhi edhe nga Pedagogu i Komunikimit Erlis Çela, i cili tha se në një situatë të tillë duhej të kishte reaguar ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. “Nuk e kuptoj mungesën e reagimit të ambasadorit të delegacionit të BE-së, për një deklaratë të tillë skandaloze. Shpresoj që të ketë hall më të madh për të sqaruar ose për t’u marrë, ndërkohë që atakohet direkt Bashkimi Europian dhe ai nuk përmendet fare’’, tha Çela në ‘’Absolut 4’’.