3-vjetori i “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”, Meta: Mirënjohje për këdo që iu bashkua kauzës

meta 39 1100x620

Në 3-vjetorin e themelimit të “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”, presidenti Meta ritheksoi nevojën për dhurimin e gjakut dhe rëndësinë që ka kjo kauzë për një pjesë të mirë të popullsisë. Në fjalën e tij gjatë një ceremonie në Presidencë, ku u dekorua me “Urdhrin për Merita Ndërkombëtare të Gjakut” nga Federata Ndërkombëtare e Organizatave të Dhuruesve të Gjakut, Meta shprehu mirënjohje dhe falënderime për të gjithë ata që iu bashkuan kësaj kauze.

“Të japësh të dhurosh pa marrë asgjë në shkëmbim është thelbi i dhurimit të gjakut. Ka pasur shumë vullnetarë, që si qëllim kanë pasur të shpëtojë jetë, sidomos fëmijët talasemikë, që kanë nevojë për gjak, por edhe persona të tjerë. Për të ndihmuar të gjithë ata që në një moment kanë nevojë për gjak. Pas tre vitesh nga themelimi arsyet që na nxitën për të krijuar aleancën janë të forta dhe do të jetë, derisa shoqëria jonë do të plotësojë nevojën për dhurimin e gjakut. Të gjithë ne, ndihemi krenar që kemi dhënë kontribut të qenësishëm për këtë kauzë, sidomos për momente të vështira të vitit. Kjo s’do të ishte e mundur pa anëtarët e aleancës, dhuruesve, të rinjve dhe të rejave që i janë përgjigjur gjithmonë thirrjes për të dhuruar gjak. Dua t’ju falënderoj të gjithëve juve, që i keni dhënë shumë kësaj kauze humane. Dua të falënderoj institucionet qendrore dhe lokale, që kanë programuar në mënyrë të vazhdueshme dhurimin e gjakut. Falënderoj komunitetet fetare, komunitetet e huaja dhe shumë individë që kanë bërë gjithçka që ky aksion të jetë i suksesshëm dhe të shpëtojë jetë”.

Ai shprehu bindjen se me qetësimin e situatës pandemike, e cila ka vendosur në sprovë të madhe sistemet shëndetësore, më shumë qytetarë do t’i bashkohen kauzës së dhurimit të gjakut.

“Pandemia ka vendosur në sprovë të madhe sistemet shëndetësore, edhe sistemin tonë. Në këtë situatë të paprecedentë ka qenë jetim puna e dhuruesve të gjakut. Tashmë me një situatë më të qetë dhe me imunizimin e popullsie, më shumë qytetarë do t’i bashkohen kauzës së dhurimit të gjakut. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të përfshijmë qytetarë që të jenë pjesë e fushatave tona për dhurimin e gjakut. Janë të rinjtë ata që bindin për rëndësinë e dhurimit të gjakut. Dhurimi të bën më të shëndetshëm dhe të bukur”.