Antikorrupsioni i SPAK, Rama në kërkim të sistemit

Lufta kundër korrupsionit është përdorur si një kalë beteje elektorale nga pretendentët për të marrë pushtetin në Shqipëri. Një strategji e ndjekur edhe nga Edi Rama i cili me marrjen e çelësave të zyrës së kryeministrit në vitin 2013, fliste për probleme të sistemit të cilin në atë kohë premtoi se do ta shkulte me gjithë rrënjë.

Në një intervistë për BBC Rama shpaloste edhe formulën më të cilën do të luftonte korrupsionin në katërvjeçarin e parë të qeverisjes së tij.

“Unë besoj fort kur dikush duhet të luftojë korrupsionin dhe me problemet e shkaktuara nga korrupsioni duhet të ketë parasysh gjithmonë që është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo e kundërta. Besoj fort që korrupsioni luftohet duke modernizuar sistemin për të pamundësuar që njerëzit të përfitojnë nga sistemi problematik”, deklaronte ai.

I bindur se kishte identifikuar problemin dhe kishte formulën për zgjidhjen e tij,  kryeministri Rama pasi mori drejtimin e qeverisë  nisi me ndërtimin e platformave antikorrupsion që i cilësonte si “urdhrat e sovranit”.

E tillë ishte platforma për bashkëqeverisje, koordinimi i së cilës fillimisht iu besua ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Qytetarët shprehnin ankesat e tyre dhe kreu i Qeverisë u jepte zgjidhje. Nuk munguan as platforma të tjera, si “Stop Korrupsionit”, “Edhe një” për gratë, për të vijuar me Portalin Kombëtar të Punësimit e së fundmi, me “Gati për Shqipërinë”, kjo e fundit për të thirrur studentët ekselentë, brenda dhe jashtë vendit, që të bëhen pjesë e qeverisjes në mandatin e ardhshëm.

Tashmë që është konfirmuar për një mandat të tretë në krye të ekzekutivit,  kryesocialisti sheh t’i ulen në bankën e të akuzuarve,  njëri pas tjetrit,  disa nga njerëzit të cilëve ai u dha besim. Drejtësia e re që shihet si shpëtimi që do të vijë nga qielli, vuri në pranga kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, për abuzim me tenderat.

Uniformat e policisë çuan në arrest të tjerë zyrtarë të shtetit, ndërsa në rrjetën e SPAK ra edhe ish-zëvendësministrja e Qeverisë Rama.

Në kampin rozë marrim pushimet në ankth pasi askush nuk e di se çfarë surprize ka rezervuar shtatori për ta, pasi SPAK ka nisur aksionet si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror. Kryeministri ka zgjedhur që të shkarkojë çdo përgjegjësi.

Pas 8 vitesh në pushtet Rama, konsaton edhe një herë se sistemi është po i njëjti dhe se njerëzit janë me po të njëjtat probleme.

Të dhënat flasin qartë se problemi më shumë se te bashkitë është në qeverisjen qendrore, pjesë e atij sistemi që varet direkt nga Kryeministri.

Në kampin tjetër nuk kënaqen me nivelin e goditjeve nga SPAK. Me thirrjen “peshku qelbet nga koka”, Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme të godasë jo vetëm zyrtarë që hedhin firmat por drejtuesit e lartë politik që japin urdhrat.

Demokratët nuk janë të vetmit që nuk besojnë në larjen e duarve kryeministrore. Një dallim në qëndrime me paraardhësin i njihet Edi Ramës, por edhe elementët e spektaklit dallohen në mbledhjet mediatike që thërret në Kryeministri.

Prokuroria e Posaçme sapo ka nisur zbarkimin në zyrat e institucioneve shtetërore dhe gjasat janë që kjo verë të jetë me e nxehtë se kurrë për të dyja krahët e politikës.