Ç’po ndodh me Deltën ?!

Varianti indian i koronavirusit i njohur si Delta, po kërcënon vendet e Rajonit. Shtrirja e mutacionit të ri tashmë është në mbi 100 shtete, ku Europa është prekur në pjesën më të madhe të saj. Në Shqipëri ka dyshime se ky mutacion i ri ka hyrë, por ende nuk është bërë gjurmimi i tij.

Për shkak të mungesës së një laboratori të avancuar, ISHP ka dërguar drejt Gjermanisë mostrat e dyshuara si të prekura nga Delta. Përgjigja e tyre, do t’i japë fund dyshimeve nëse edhe Shqipëria ka rastet e saja.

Hapi i parë i autoriteteve të shëndetësisë nëse Delta konfirmohet në Shqipëri, është rishikimi i menjëhershëm i masave. Virusi Covid-19 ka ndryshuar sjellje, ndaj edhe gjurmimi itij bëhet disi më i vështirë. Shifrat e infektimeve kanë nisur të lëvizin, dhe për këtë autoritetet kanë rritur vigjilencën.

Përhapësit më të mëdhenj duket se janë moshat e reja, tëcilat refuzojnë të zbatojnë masat e mbetura në fuqi nga Komiteti i Ekspertëve. Vaksinimi shihet si arma më e sigurtë për mbrojtjen nga virusi covid-19 dhe mutacionet e tij. Ministria e Shëndetësisë, do të ofroj më shumë ditë të hapura për vaksinimin e moshave +18 vjeç.

Vaksinat kanë efektivitet të lartë sipas ministres Manastirliu, aq sa mund të ofrojnë shmangien e shtrimit në spital në rast infektimi. Pandemia e Covid-19 ka rritur edhe numrin e urgjencave në QSUT. Neglizhenca e qytetarëve ndaj shqetësimeve të tjera përtej virusit, po jep efektet e para.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, Shqipëria duhet të vendosë masa në pikat hyrëse të kufirit. Hapja totale me të gjithë turistët që vijnë nga Europa dhe bota shihet si kanali i mundshëm i hyrjes së varianteve të virusit Covid-19.