“Defender 21”, stërvitja përmes rrëfimeve
Pas Luftës së Dytë Botërore në rajonin e Ballkanit nuk ishin parë kaq trupa ushtarake sa ata që mbërritën përgjatë 2 muajve, në maj dhe qershor të këtij viti, për të zhvilluar stërvitjen “Defender Europe 2021”. Një numër prej 28 mijë ushtarësh nga 26 kombe, ku mes tyre ishin 1 mijë ushtarë shqiptarë kryen manovra ushtarake në 30 pika të ndryshme, realizuan operacione kërkim-shpëtimi, u shënjestruan objektiva qitjeje dhe gjithashtu u përgatit strategjia për bashkëveprim në përballimin e covid-19.
Shqipëria u përzgjodh si pikë strategjike kryesore, ku NATO solli trupa nga 12 shtete, pjesë e aleancës, si Bullgaria, Gjermania, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.
Megjithatë, Shqipëria nuk ishte vetëm mikpritëse ushtarëve të huaj, por për këtë stërvitje, ne dërguam trupa në dy vende të NATOS.
Përgjegjësia kryesore sigurisht ishte e ushtrisë amerikane, e cila organizoi pjesën më të madhe të përgatitjeve të kësaj stërvitjeje. Shqipërisë i ishte besuar një rol kyç në këtë stërvitje masive, ndërsa amerikanët sollën disa gjeneralë në Tiranë që në muajin shkurt, për t’u siguruar që gjithçka po shkonte mirë.
Edhe pse në kushtet e pandemisë duket se pala shqiptare ishte gati që të niste në kohën e duhur. Në vijim u mbajtën takime të nivelit të lartë, ku u angazhuan struktura të rëndësishme të shtetit në mbarëvajtjen e stërvitjes. Madje u akordua një fond nga buxheti për mbulimin e shpenzimeve, për sa i takonte palës sonë.
Përgatitjet kishin përfunduar dhe radhën e kishte faza e hapjes. Porti i Durrësit u përzgjodh si vendi ku u krye edhe ceremonia zyrtare e nisjes së stërvitjes, ku spikaste organizimi ushtarak, politik dhe diplomatik, sigurisht me kryesuese të skenës ambasadoren Yuri Kim. Lundrimi në det i kryeministrit Rama dhe shkëmbimi i dhuratave me gjeneralët rrëmbyen vëmendjen e asaj ceremonie. Stërvitjes i ishte dhënë tashmë drita jeshile për t’u zhvendosur në terren.