Shkarkimi i Tushes i ligjshëm? Braho: Vendimi mund të pezullohet, zëvendësimi pas “Venecias”

Juristi Ledio Braho, anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, mendon se shkarkimi i Fatos Tushes nuk është përfundimtar. Sipas tij, ish-kryebashkiaku ka të drejtë të ankimohet në Kushtetuese çka do të pezullonte vendimin. Lushnja ishte bashkia e gjashtë që mbeti pa kryetar dhe ngërçin pritet ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese në stinën e vjeshtës.

Bashkia e Lushnjës ishte njësia e radhës vendore që ka mbetur pa kryetar. Arrestimi nga SPAK ishte mëse i mjaftueshëm për qeverinë që ta shkarkonte nga detyra, pa pritur një vendim gjykate, çka i jep të drejtë Fatos Tushes ta kërkojë të drejtën e tij në Kushtetuese.

“Nëse kryetari i bashkisë do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, efektet e kësaj vendimmarrje do të pezullohen”.

Precedentët flasin në favor të Tushes duke qenë se shkarkimi u bë pa u shprehur ende gjykata. Rast i ngjashëm ishte ai ish-kolegut të tij Zef Hila, rast për të cilin Gjykata rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kryeministrit për ta shkarkuar. Për juristin Ledio Braho, ligji ka lënë hapësira manovirimi në të tilla raste.

“Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë se VKM bie ndesh me kushtetutën atëherë do të konsiderohet se ai është mandate, tani ai është i pezulluar”.

Lushnja është bashkia e gjashtë pa Kryetar dhe sa herë ndodh një shkarkim apo largim, ngrihet pyetja se kur do të zëvendësohet.

“Duke qenë se presidenti nuk i njohu kryetarët e bashkive, në të njëjta kushte nuk njeh askryetarin e bashkisë të Lushnjës, ndaj nuk nxjerr dekret. Duhet të presim vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet e vitit 2019”.

Fati i kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 tani është në komisionin e Venecias ku në datën 14 tetor ka parashikuar shqyrtimin e kërkesës së Gjykatës Kushtetuese shqiptare.